<style>.lazy{display:none}</style> Takim me Nënkryetarin e Bashkisë Durrës - Qendra Durresi Aktiv

Qendra Durresi Aktiv

Takim me Nënkryetarin e Bashkisë Durrës

Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Florian Tahiri, ka pritur në një takim përfaqësues të Qendrës “Durrësi Aktiv” dhe të Klinikës së Ligjit Durrës, ku janë parashtruar disa nga problematikat më të mprehta, me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre, banorët e qytetit bregdetar.

Në fokus të bashkëbisedimit ishte shqetësimi i banorëve të zonave të Shkozetit, Ish-Kënetës dhe Porto-Romanos, mbi gjendjen aktuale të kanalit të ujërave të papërpunuara.

Ky është edhe fokusi i projektit “Qytetarët e Durrësit, Aktorë dhe Faktorë në Vendimmarrjen Lokale”, që po vihet në zbatim me mbështetjen dhe financimin e Lëviz Albania-s dhe që ka si qëllim kryesor që të adresojë tek pushteti vendor përmes aktivizmit qytetar, problemin e derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet e hapura (bujqësore), në zonën e Shkozetit, ish-Kënetës dhe Porto Romanos, duke synuar edhe ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.

Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Florian Tahiri gjatë takimit bashkëbisedoi me përfaqësues të Qendrës “Durrësi Aktiv” dhe të Klinikës së Ligjit Durrës, ku u parashtruan disa nga problematikat më të mprehta, me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre banorët e qytetit bregdetar.

Përfaqësuesja e Klinikës së Ligjit Durrës, Marsida Muça, i ka paraqitur nënkryetarit Tahiri  kërkesat e vazhdueshme të komunitetit, i cili nëpërmjet kësaj klinike, përmes disa shkresave zyrtare ka kërkuar ndërhyrjen për rehabilitimin e kanalit të ujërave të ndotura në zonën e Ish-Kënetës, që është i njëjti kanal që nis zonën e Shkozetit, që përshkon Ish-Kënetën dhe derdhet në det, në Porto-Romano.

Problematika e trashëguar ndër vite jo vetëm shkakton një nivel të lartë të ndotjes mjedisore, por ndikon edhe në shëndetin e këtij komuniteti.

Mbi 62 mijë banorët e kësaj zone duket se janë të pafuqishëm për të gjetur një zgjidhje, pasi institucionet heshtin përballë gjendjes kritike së trashëguar ndër vite nga derdhja e ujërave të zeza, të papërpunuara në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura.

Duke parë problematikën e krijuar, përfaqësuesja e Klinikës së Ligjit Durrës kërkoi që Bashkia Durrës të fillojë menjëherë punën për mbylljen e kanalit të hapur përbri rrugës “Azem Hajdari” dhe rrugës “Gjelbërimi, në zonën e ish-Kënetës, për të cilën më herët institucioni i qeverisjes vendore nisi edhe hartimin e një projekti.

Qendra Durrësi Aktiv ka analizuar problemin e derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet bujqësore, që kalojnë në tri zonat urbane të lartpërmendura, që nisin në zonën e Shkozetit, vijojnë në ish-Kënetë dhe përfundojnë në Porto-Romano, ku derdhen në det të pa trajtuara.

Gjatë gjithë takimit u vu theksi tek domosdoshmëria e marrjes së masave të menjëhershme për rehabilitimin e kanaleve të hapura, në të cilat derdhen edhe ujërat e zeza.

Përfaqësuesi i autoritetit vendor, Florian Tahiri, u shpreh se është në dijeni të problematikës së parashtruar nga përfaqësuesit e Qendrës “Durrësi Aktiv” dhe të Klinikës së Ligjit Durrës.

Nënkryetari i bashkisë shpjegoi se në muajin shtator filloi hartimi i projektit të rehabilitimit të kanalit në zonën e Ish-Kënetës, por me tërmetin e datës 21 shtator puna u pezullua. Kjo sipas tij u pasua edhe nga tërmeti i datës 26 nëntor dhe në kushtet aktuale Tahiri e vlerësoi si të pamundur rinisjen e hartimit të projektit, pasi inxhinierët e bashkisë janë të zënë me planin e rindërtimit. Për këtë arsye sipas tij është i pamundur rifillimi i procesit për rehabilitimin e kanalit.

“Aktualisht inxhinierët e bashkisë janë të zënë me planin e rindërtimit dhe nuk mund të punojnë me projektin e kanalit”, deklaroi Tahiri, duke e lënë të hapur dhe në një afat të papërcaktuar adresimin e problemit, me të cilin përballen në përditshmërinë e tyre banorët e zonave të Ish-Kënetës, Porto-Romanos dhe Shkozetit.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi nevojën e pastrimit periodik dhe shtimit të vendeve të depozitimit të mbetjeve urbane, me qëllim mbajtjen pastër të mjedisit në hapësirat që janë nën juridiksionin e Bashkisë së Durrësit.

Nënkryetarit të Bashkisë Durrës ju komunikua nga Qendra “Durrësi Aktiv” se ka episode të përsëritura, ku punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale i vendosin zjarrin mbeturinave, që grumbullohen përreth koshave të mbeturinave.

Nënkryetari Tahiri konfirmoi se mbetjet urbane largohen çdo ditë, duke shtuar se ka raste që vetë banorët i hedhin mbeturinat në kanal, duke anashkaluar përgjegjësinë e njësisë së qeverisjes vendore.

30/Gusht/2020 
Optimized with PageSpeed Ninja