<style>.lazy{display:none}</style> Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale - Qendra Durresi Aktiv

Qendra Durresi Aktiv

Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale

Qëndra Durrësi Aktiv, në bashkëpunim me Leviz Albania, po zbaton projektin “Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale”. Ky projekt ka qëllim të adresojë problemin e derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet e hapura bujqësore në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto-Romanos. Për të arritur këtë qëllim, Qëndra Durrësi Aktiv synon të ndjekin çështjen në rrugë ligjore në bashkëpunim me Klinikat e Ligjit Durrës.

Inisiativa thekson rëndësinë e ruajtjes së mjedisit duke u përfshirë në procesin e vendimmarrjes lokale, ku qytetarët u bën faktorë të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve të ndotjes së mjedisit. Puna në bashkëpunim me organizatat dhe autoritetet vendore shërbyen për të gjetur zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme për të adresuar derdhjen e ujërave të ndotura në zonën në “Kanalin e Ujërave të Larta” që përshkron këto zona. Projekti synon të ndërgjegjësojë dhe mobilizojë komunitetin për të bërë ndryshime pozitive dhe të zgjidhë sfidat mjedisore në qytetin e Durrësit.

Mungesa e kanalizimeve të ujërave të ndotura është një problem pa zgjidhje, me të cilin përballen çdo ditë, prej rreth 30 vitesh, banorët e zonave të ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto Romanos. Nga informacionet e mbledhura paraprakisht, rezulton se një pjesë e madhe e banesave i shkarkojnë ujërat e ndotura në një kanal të hapur, që dikur përdorej për bujqësinë, i cili nis në lagjen numër 14 të qytetit dhe derdhet në Detin Adriatik, duke ndotur ekosistemin.

Duke monitoruar dhe vlerësuar situatën e krijuar, Qendra “DURRËSI AKTIV”, e  mbështetur dhe financuar nga Lëviz Albania, ka nisur zbatimin e projektit “Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale”, me qëllimin kryesor që të adresojë tek pushteti vendor, përmes aktivizmit qytetar,  problemin e derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet e hapura, (bujqësore), në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto Romanos, duke synuar edhe ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.

Durrësi, qyteti i dytë për nga rëndësia në vend, pas viteve ’90 pati një rritje të ndjeshme të popullsisë. Referuar regjistrit civil, në 1 janar 2019, në këtë bashki kishte 323 mijë banorë.

Porto Romano, gjendet gjashtë kilometra në veri të qytetit të Durrësit. E lakuar për nivelin e lartë të ndotjes, për shkak të pranisë së vendgrumbullimit të mbetjeve urbane. Sipas premtimit të kryeministrit Rama, landfilldi i Porto Romanos duhej të ishte mbyllur në vjeshtën e vitit 2019 dhe të kishin filluar punimet për ndërtimin e një parku të gjelbër.

Ish-Këneta është njëra prej lagjeve të qytetit, që është zgjeruar, me ritme të shpejta, dekadën e fundit. Pamjet satelitore të nxjerra nga Google Earth Timelapse, i cili është një projekt që të lejon të shikosh ndryshimet e planetit që prej 1984, tregojnë se kjo hapësirë në Durrës, filloi të popullohej masivisht, pas vitit 2010. Aktualisht vetëm për këtë zonë, në Njësinë Administrative numër 6, janë  të regjistruar rreth 43 mijë banorë. Sot ka një sipërfaqe prej 15.6 km2

E pagëzuar si “Durrësi i Ri”, ish-Këneta ka qenë një ndër ambicjet e ish kryebashkiakut, Vangjush Dako. Sipas tij, që në ditët e para të uljes në karrigen e kryetarit institucionit të qeverisjes vendore, zona që ka përbërë një përparësi në programin e qeverisjes lokale.

“Në zonën e “Durrësit të Ri,” bashkia e Durrësit ka kryer investime në gjashtë rrugë. Ajo ka kryer investime edhe në ujësjellës dhe furnizim me ujë të pijshëm në skolinat 1 dhe 2. Dy kanale të ish-Kënetës janë mbyllur, duke u zëvendësuar jo vetëm me rrugë, por edhe me lulishte, stola dhe hapësira shplodhjeje për banorët e zonës. Ndryshime të thella ka pësuar edhe rrjeti i kanalizimeve të ujrave të bardha, ku janë sistemuar rreth 4776 meter linearë dhe i ujërave të zeza, me 5727 metër linearë.”- deklaronte qytetari i parë i Durrësit, në prill të 2011-tës.

Rreth 10 vite më pas, realiteti që të ofron “Durrësi i Ri” është si në foto. Kanali i ndotur identifikon këte zonë. Ndërsa, në të dy anët e tij ngrihen shtëpi banimi. Në vitin 1985, qyteti bregdetar ishte i ndarë dukshëm nga zona industriale e Shkozetit, e cila sot njihet si lagjja numër 14. Sot, këdo nga banorët, që takon të tregon se kanali, që e ka pikënisjen këtu, është shndërruar në një shqetësim të vazhdueshëm.

“U bëra 15 vite, që rri këtu. Asnjë ndryshim nuk bëhet, fare! Ka erë, ka mushkonja. Gjithçka është katastrofë! Tani nuk vjen askush. Kjo bashkia më duket sikur, nuk po ja var fare. Nuk kemi asnjë perspektivë!” – shprehet një nga banorët e lagjes numër 14.              

Emëruesi i përbashkët i zonave të lartpërmendura, e Shkozetit, e ish-Kënetës dhe e Porto Romanos është mungesa e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Nuk ka ende një informacion të saktë zyrtar sesa përqind e banorëve përballen me këtë problematikë. Nga informacionet e mbledhura paraprakisht, rezulton se një pjesë e madhe e banesave i shkarkojnë ujërat e ndotura në një kanal të hapur, që dikur përdorej për bujqësinë.

Banorët e këtyre zonave e kanë adresuar, në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin e tyre në mediat kombëtare, rajonale dhe lokale, por pa marrë zgjidhje përfundimtare. Kanali, me gjerësi mbi 6 metra, nis në lagjen numër 14 të qytetit e njohur si Shkozeti. Ndalesa e fundit është Deti Adriatik, duke ndotur ekosistemin.

Shkarkimi i ujërave të papërpunuar dhe mbeturinat, që hidhen, si nga subjektet tregtare, ashtu edhe nga individët, e kanë shndërruar këtë segment në një burim infeksionesh. Gjatë stinës së verës, si pasojë e temperaturave të larta, era e rëndë përhapet në të gjithë zonën e banuar, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes me fekale.

Duke qenë se këto ujra derdhen në det, ky nivel ndotjeje transferohet në këtë ekosistem. Turizmi është një nga shtyllat kryesore, ku bazohet zhvillimi ekonomik. Në Durrës, përgjatë vijës bregdetare operojnë një numër i lartë subjektesh tregtare, që referojnë të njëjtën problematikë, nivelin e lartë të ndotjes së detit. Për këtë kategori, ky fakt është i barabartë me më pak pushues dhe të ardhura.

Shumë qytetarë kanë nxjerrë në shitje shtëpitë ose i kanë dhënë me qira, për tu vendosur në një zonë tjetër ose në kryeqytet. Ndërkohë në qytet, pas reshjeve të shiut, ujërat e zeza, jo rrallë herë dalin në sipërfaqe. Në periferi, kryesisht në lagjet me numër 14, 15 dhe 17, mungesa e kanalizimeve ka bërë që të përdoren kanalet bujqësore të ndërtuara përpara viteve’ 90.

Problematika është konfirmuar edhe nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, duke e lidhur me mungesën e investimeve ndër vite, e cila nuk ka qenë në përputhje me shtimin e numrit të popullsisë.

Duke monitoruar dhe vlerësuar situatën e krijuar, Qendra “DURRËSI AKTIV”, e mbështetur dhe financuar nga Lëviz Albania, ka nisur zbatimin e projektit “Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale”. Projekti është konceptuar në tri faza, me qëllimin kryesor që të adresojë tek pushteti vendor problemin e derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet e hapura, (bujqësore), në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto Romanos, përmes aktivizmit qytetar, duke synuar edhe ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.

Sipas drejtuesit ekzekutiv të projektit, Klaudio Hyseni, “Një ekosistem i cunguar prek të gjithë qytetarët. Për këtë arsye, projekti është përqendruar te fuqizimi i rrjeteve qytetare, që të ndërgjegjësohen dhe të lobojnë te institucionet vendore për zgjidhjen e problematikës së derdhjes së ujërave të papërpunuara te kanalet e ish sistemit të kullimit në ish Kënetë, Porto Romano dhe Shkozet ”.

Ndërgjegjësimi qytetar është mekanizmi i duhur, që shërben për të vënë në lëvizje të gjithë sistemin. Për këtë arsye, Qendra “DURRËSI AKTIV”, do të nxisë aktivizimin e komunitetit , duke zhvilluar forume diskutimi midis banorëve, anëtarëve të këshillit bashkiak dhe specialistëve të fushës.

Projekti është ideuar në tre faza:

Faza e parë është përcjellja e informacionit nëpërmjet dokumentarëve investigativë, për të vlerësuar, jo vetëm nivelin e ndotjes në mjedis dhe në shëndetin e banorëve, por dhe investimet e pushtetit vendor ndër vite, për të nxjerrë në pah përgjegjësitë institucionale .

Faza e dytë do të jetë realizimi i një monitorimi shkencor i nivelit aktual të ndotjes në kanal. Për herë të parë do të dëshmohet me fakte dhe të dhëna konkrete kjo problematikë, përmes hartimit të një raporti.

Faza finale do të përkojë me synimin e projektit, që është adresimi i problemit dhe marrja e masave për zgjidhje drejtuar pushtetit vendor. Së pari, duke plotësuar një peticion drejtuar institucionit të qeverisjes vendore dhe së dyti, duke e ndjekur çështjen përmes rrugëve ligjore.

Në harkun kohor të rreth 6 muajve, Durrësi u përball me dy momente kritike: tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe periudhën e izolimit, pas konfirmimit të të infektuarit të parë nga koronavirusi në vendin tonë, që ndikuan në organizimin, strukturimin, funksionimin e institucioneve, por mbi të gjitha kushtëzuan cilësinë e jetës së qytetarëve.

Në mbledhjen e Komitetit për Rindërtim, të mbajtur në dhjetor të 2019, ministri i caktuar për këtë problem, Bledi Çuçi dha një raport të detajuar të numrit të godinave të pabanueshme pas tërmetit,

Sipas këtij bilanci, të cilësuar përfundimtar nga qeveria shqiptare, për Qarkun Durrës, numri i tyre ishte rezultonin 3310. Për akomodimin e banorëve u hartua programi i rindërtimit.

Kryeministri Rama ka deklaruar ngritjen e dy lagjeve të reja të pas tërmetit të 26 nëntorit, njëra prej tyre në Durrës.

“Këto dy lagje të reja, njëra pranë lumit të Tiranës e tjetra në zonën e Spitallës, mishërojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam”.

Ndërkohë, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka cilësuar hapësirën e përzgjedhur:

“ Më e përshtatshmja për zhvillimin e integruar multidimensional, nga të të gjitha propozimet e tjera për ngritjen e një lagjeje të re në Durrës, pas tërmetit të 26 nëntorit. Kjo zonë ka dy mundësi zhvillimi: e para, zona e Vaskave, ku është parashikuar ndërtimi edhe i një tregu për qytetin dhe pjesa tjetër e kësaj hapësire për zhvillimin e blloqeve të banimit, me shkolla dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkon një rezidencë me standarde bashkëkohore”.

Në kushtet e krijuara, kërkesa për integrimin e rrjetit të ujërave të ndotura në planet e rindërtimit të zonave të reja të banimit, për qytetarët që kanë humbur banesat pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 është shndërruar në një domosdoshmëri. Kërkesa e përsëritur e komunitetit është në fokus të këtij projekti, duke synuar që t’i japë një zgjidhje përfundimtare, kësaj problematike rreth 30 vjeçare, për banorët e zonave të Shkozetit, Porto Romanos dhe ish-Kënetës në Durrës.

 

10/Tetor/2020
Optimized with PageSpeed Ninja