Durrësi aktiv për një bregdet të pastër
Në sheshin “Liria”, qendra e qytetit të Durrësit, aktivistët e grupimit “Durrësi Aktiv për një Bregdet të Pastër” kanë projektuar një seri reportazhesh investigativë për ndotjen e bregdetit që është kthyer në një çështje shqetësuese për qytetarët e Durrësit. Qëllimi ishte të informojë dhe të mobilizojë qytetarët për të adresuar derdhjen e ujërave të zeza në bregdet.
Për vite me radhë, zona bregdetare e qytetit është përballur me problematikën e ndotjes nga ujërat e zeza. Kjo situatë ka ndikuar për keq në jetën e banorëve dhe në biodiversitetin e bregdetit. Në përpjekje për të ngritur vetëdijen dhe adresuar këtë çështje, aktivistët e “Durrësi Aktiv për një Bregdet të Pastër” vendosën ti shpalosin qytetarëve pasojat që vijnë nga nga derdhja e ujërave të zeza në bregdet.
Projekti i tyre përshkruhet si një vëzhgim i thelluar i kësaj çështjeje, duke përdorur gazetarinë investiguese për të grumbulluar provat dhe për të dëshmuar përkatësinë e derdhjes së ujërave të zeza në bregdet. Janë intervistuar banorët që preken nga ndotja e bregdetit, ekspertët ambientalistë, dhe zyrtarët vendor për të zbuluar faktet dhe për të adresuar problematikën e shkarkimit të ujërave të zeza.
Paralelisht me kryerjen dhe shfaqjen e investigimit, një iniciativë advokuese po kryhej për mbledhjen e firmave të qytetarëve për peticion që synonte të adresojë problematikën e derdhjes së ujërave të zeza në lagjen nr. 1 të qytetit. Peticioni iu drejtua Bashkisë Durrës, duke kërkuar ndalimin e shkarkimit të ujërave të zeza, marrjen e masave të menjëhershme për rehabilitimin e zonës bregdetare dhe informimin e qytetarëve nëpërmjet tabelave shpjeguese.
Në kuadër të projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër” financuar nga Lëviz Albania me mbështetjen e Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që synon nxitjen e aktivizmit qytetar në vendimmarrjen e pushtetit lokal në zgjidhjen e problemit të derdhjes së ujrave të zeza në Shëtitoren “Taulantia” lagjja nr.1, zona: Port – Currila plazh, në Janar të vitit 2019 i kemi dërguar një kërkesë Bashkisë Durrës me objekt “Marrjen e masave lidhur me kolektorin e shkarkimit ujërave të zeza dhe kanalet e bizneseve të cilët prej shumë kohësh po derdhin në mënyrë abuzive ujëra të zeza në shëtitoren “Taulantia” në lagjen nr.1, në kuadër të cilit është nënshkruar një peticion nga qytetarët e Durrësit me 1051 firma i cili synon marrjen e masave për të informuar qytetarët dhe pushuesit me tabela sinjalizuese për derdhjen e ujërave dhe rreziku që vjen nga to dhe garantimi nga ana e bashkisë për të ndaluar shkarkimin e ujërave të pa përpunuar në bregdet.
Rezultatet e analizave:
- Aktualisht kolektori kryesor nga me shtrirje “Brryli” deri pranë Torrës Veneciane, mbledh ujërat e zeza të zones, duke i shkarkuar ato pjesërisht në stacionin e pompimit nr.8 (UKD) dhe pjesërisht në det. Ky kolektor vepron si një rrjet i kombinuar i ujërave të shiut dhe ujërave të zeza.
- Kjo është një zonë e frekuentuar nga pushuesit, të cilët lahen në ujërat e saj duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, pasi ngarkesa mikrobike rritet aq shumë sa mund të shkaktojë dhe dëmtime, si: irritime të lëkurës, sëmundje dermatologjike, të organeve të brendshme etj.
- Kjo zonë shfrytëzohet për peshkim nga qytetarët, duke përbërë një rrezik nga të ushqyerit me peshqit e peshkuar në këto ujëra të ndotur dhe si pasojë transmetohen tek qytetarët sëmundje të ndryshme.
- Uji i detit ka një përmbajtje të lartë të nitrateve dhe fosateve, sepse janë ato që mbeten, pas shpërbërjes së ujërave të zeza, duke ndikuar drejtpërdrejtë në botën nënujore dhe në zhdukjen e gjallesave.
- Nga monitorimi ynë disamujor përgjatë 24 orëve, rezulton se derdhen pa ndërprerje ujëra të papërpunuara, që Ujësjellës Kanalizme Durrës i mbledh përgjatë lagjes nr.1.
- Në këtë zonë operojnë biznese, një pjesë e të cilave derdhin ujëra të ndotur.
- Mungojnë tabela sinjalizuese për rrezikun e larjes dhe peshkimit në këto ujëra.
- Mungon stacioni i monitorimit të nivelit të ndotjes së ujit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në shëtitoren “Taulantia”.
- Qytetarët kanë mungesë të theksuar informacioni, lidhur me kostot e investimit që po kryhet nga UKD për rrjetin e ri të kanalizimeve.
- Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) e pranon faktin se kanali në hyrje të shëtitores Taulantia derdh ujëra të ndotur në det dhe ka deklaruar se kjo do të marr zgjidhje pas investimit që po kryhet në këtë zone dhe që pritet të përfundojë në Maj të vitit 2019.
- Në raportin teknik të mbikëqyrjes së punimeve nga kompania libaneze e kontraktuar, “Spectrum Engineering Consultants”, evidentohet fakti se nga tubacioni që administron UKD derdhen ujërat e zeza në det. Në raportin e punimeve përgatitur për tre muajt e parë të vitit 2018 nga kjo kompani zbuluam se; “Rrjeti ekzistues nga Muzeu Arkeologjik deri tek stacioni i pompimit nr.8, në hyrje të shëtitores Taulantia, është ndërtuar në vitin 1970, llogaritur për territorin dhe popullsinë e asaj periudhe, pjesërisht ujërat e ndotur shkarkohen në stacionin e pompimit nr.8 dhe pjesërisht shkarkohen në det. Ky kolektor vepron si një rrjet i kombinuar i ujërave të shiut dhe ujërave të zeza”.
- Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka deklaruar se me anë të një kredie me vlerë 85 milion dollarë po kryen investime në rrjetin e kanalizimeve në qytetin e Durrësit. Projekti prek një nga zonat më të rëndësishme turistike, shëtitoren “Taulantia”, me vlerë 5.7 milion euro dhe ka mbaruar faza e parë e punimeve, për ndërtimin e tubacionit kryesor.
- Në Durrës tarifa e shërbimit të kanalizimeve nga 65 lekë për meter/kub u rrit në 75 lekë për meter/kub në vitin 2017. Bazuar në raportin e Entit Rregullator të Ujit, ndryshimi i tarifës vjen si pasojë e kredisë së marrë nga Banka Botërore për investimet që po bëhen në rrjetin e ujërave të zeza dhe të kanalizmeve.
Rekomandime:
- Vendosja e depuratorit të filtrimit të ujërave të papaërpunuara që derdhen në det nga kolektori nr.8, në hyrje të shëtitores “Taulantia”;
- Vendosja e tabelave sinjalizuese në shëtitoren Taulantia për informimin e qytetarëve rreth rrezikut që vjen nga larja në këto ujëra;
- Ndërprerja e shkarkimit të ujërave të papërpunuar në det nga kolektori nr.8 në hyrje të shëtitores “Taulantia”, përpara nisjes së sezonit turistik;
- Inspektimi i vijës bregdetare për evidentimin e lidhjeve të paligjshme që derdhin ujëra te ndotur dhe ndërprerja e tyre, duke gjobitur edhe personat apo subjektet përgjegjëse.
Shënim: Për marrjen e masave mbi çështjen, u jemi drejtuar institucioneve: Ujësjellës Kanalizime Durrës, Inspektoriati i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Bashkia Durrës, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, Instituti i Shëndetit Publik, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria e Shëndetit Publik Durrës. Asnjë nga institucionet nuk ka marrë përgjegjësinë të zbatojë ligjet që ndalojne dhe dënojnë derdhjen e ujërave të ndotur e të papërpunuar në det.
Kjo gjendje është larg asaj që parashikon ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku në nenin 67, shkruhet: “…në brigje, plazhe dhe në zonat e vërshimit ndalohet shkarkimi i ujërave të ndotura urbane e industriale të patrajtuara”.
26/09/2018