Qendra Durresi Aktiv

Analiza e Buxhetit të Bashkisë Durrës 2024-2026: Informacion më i qartë dhe i aksesueshëm për qytetarët

Në një qytet që po zhvillohet me ritme të shpejta, transparenca mbi shpenzimet publike dhe investimet është thelbësore. Megjithatë, për shumë qytetarë, buxheti mbetet një dokument kompleks, i mbushur me shifra dhe terma teknikë që e bëjnë të vështirë kuptimin e tij. Qendra Durrësi Aktiv, përmes projektit “Arti Grafik për Transparencë dhe Informim Publik”, ka ndërmarrë një nismë për ta bërë këtë informacion më të qartë dhe të aksesueshëm për të gjithë.

Kemi hartuar një analizë të detajuar të buxhetit duke përfshirë fushat kryesore të investimeve si infrastruktura rrugore, transporti publik, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, shëndetësia, mbrojtja civile dhe kultura

Por përtej shifrave dhe analizave teknike, qëllimi i këtij projekti është të sjellë një mënyrë të re komunikimi me qytetarët. Arti dhe ilustrimet vizuale janë përdorur për të paraqitur të dhënat në një format më të kuptueshëm dhe tërheqës. Përmes punëtorive krijuese me artistët, ekspozitave publike dhe diskutimeve me komunitetin, kjo analizë është transformuar në një mjet konkret informimi për qytetarët e Durrësit.

Gjatë këtij procesi, kemi parë sesi qytetarët, të cilët fillimisht e shihnin buxhetin si diçka të largët dhe të ndërlikuar, filluan të angazhohen, të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë mbi prioritetet e qytetit. Kjo qasje e re jo vetëm që rrit ndërgjegjësimin, por gjithashtu i inkurajon qytetarët të marrin pjesë aktive në dëgjesat publike dhe vendimmarrjen lokale.

Ky projekt u realizua nga Qendra Durrësi Aktiv, me mbështetje nga skema e granteve “BAT Civil Society”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), dhe financuar nga Bashkimi Evropian.

Për të lexuar analizën e plotë, e gjeni në dokumentin më poshtë:

ANALIZA E BUXHETIT TË BASHKISË DURRËS – PBA 2024-2026

 

03/Shkurt/2025