Torra Veneciane mbushet me jetë, ngjyra dhe histori
Mbi 100 fëmijë zbulojnë trashëgiminë e Durrësit në aktivitetin “Nga e shkuara në argëtim”
Torra Veneciane u kthye, më 25 mars 2025, në një klasë të hapur ku historia, arti dhe loja u ndërthuren për t’i afruar fëmijët me trashëgiminë e qytetit. Më shumë se njëqind nxënës nga shkollat “Jusuf Puka”, “Vasil Ziu”, “Mihal Ekonomi” dhe Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla morën pjesë në aktivitetin “Nga e shkuara në argëtim”, një iniciativë që synon të shpalosë vlerat kulturore përmes metodave krijuese dhe argëtuese.
Në sallën kryesore të Torës fëmijët u përfshinë fillimisht në një lojë tavoline edukative të krijuar enkas për projektin, ku kartat përfaqësonin personazhe dhe objekte historike të Durrësit. Përmes sfidave bashkëpunuese, ata mësuan ngjarje kyçe të qytetit dhe kuptuan rëndësinë e ruajtjes së monumenteve.


Pas lojës, atmosfera u zhvendos në punëtorinë “Kthe mbeturinat në art”. Duke përdorur materiale të riciklueshme copa kartoni, kapëse druri e mbeturina plastike, fëmijët krijuan mozaikë miniaturë dhe instalacione simbolike që ilustronin kullën veneciane. Procesi jo vetëm nxit kreativitetin, por edhe ndërgjegjëson për mbrojtjen e mjedisit.
Një pjesë e fëmijëve vizituan edhe Hamamin e Durrësit, duke pasuruar njohuritë me një shembull tjetër unik të arkitekturës osmane.
“Historia e qytetit tonë bëhet më e prekshme kur e shohim, e luajmë dhe e rikrijojmë me duart tona,” tha një nga mësueset shoqëruese, duke nënvizuar rëndësinë e qasjes praktike në mësimdhënie.


Aktiviteti u realizua me mbështetjen logjistike të Qendrës Muzeore Durrës dhe Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla.
Përvojat e dyerve të hapura i treguan fëmijëve se monumentet nuk janë thjesht gurë të vjetër, por burime të gjalla frymëzimi dhe mësimi.
“Nga e shkuara në argëtim” është pjesë e projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja midis së shkuarës dhe të tashmes”, zbatuar nga Qendra Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
10/04/2025