Trashëgimia merr jetë përmes rrëfimit
Trashëgimia kulturore nuk është vetëm histori – është përjetim, ndjesi dhe lidhje njerëzore. Në këtë frymë, Durrësi Aktiv dhe MuZEH Lab organizuan me sukses dy sesione trajnimi mbi Interpretimin e Trashëgimisë dhe Storytelling, më 10–11 mars dhe 5–6 prill 2025, në kuadër të projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja mes së shkuarës dhe së tashmes”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Interpretimi si mjet për të sjellë historinë në jetë
Trajnimet u konceptuan si përvoja dinamike, ndërvepruese dhe kreative për të rinj, profesionistë të trashëgimisë, guida turistike, arkitektë, freelancerë e artistë që dëshirojnë ta sjellin historinë më pranë publikut të gjerë.
Përmes ushtrimeve praktike, lojërave, ecjeve tematike dhe sesioneve të reflektimit, pjesëmarrësit u pajisën me mjete konkrete për të ndërtuar rrëfime kulturore që emocionojnë, edukojnë dhe frymëzojnë.


Shtegu i Dyerve të Vjetra – Një klasë e hapur në qytet
Një nga pikat kulmore të trajnimeve ishte ecja ndërvepruese përgjatë Shtegut të Dyerve të Vjetra të Durrësit, një itinerar kulturor që përfshin 12 dyer me vlerë historike dhe simbolike për identitetin e qytetit. Pjesëmarrësit eksploruan mundësitë e guidave tematike dhe praktikuan mënyra kreative për të rrëfyer historinë përmes ndërveprimit me vendin, komunitetin dhe publikun vizitor.
Zbulo më shumë: www.theolddoorstrail.com
Çfarë mësuam së bashku?
Storytelling si urë mes së shkuarës dhe së tashmes – Si të ndërtojmë rrëfime që japin kuptim dhe lidhje emocionale me trashëgiminë.
Interpretimi i trashëgimisë – Si një proces edukues dhe përfshirës që fuqizon komunitetin dhe mbështet ruajtjen kulturore.
Ecjet tematike dhe përvojat pjesëmarrëse – Si të krijojmë përvoja që angazhojnë vizitorin në mënyrë aktive dhe krijuese.


Energjia, bashkëpunimi dhe pasioni i pjesëmarrësve ishin thelbësorë në suksesin e të dy sesioneve.
Falë angazhimit të tyre, këto trajnime nuk ishin vetëm sesione mësimore – por nisma që hapin rrugën për projekte të reja kulturore, qasje të reja në guidat urbane, dhe edukim të qëndrueshëm përmes trashëgimisë.
Presim me padurim të shohim idetë, projektet dhe rrëfimet që do të zhvillohen nga kjo përvojë e përbashkët.
07/04/2025