Qendra Durrësi Aktiv fton artistë lokalë dhe kombëtarë, muzikantë, aktorë, zejtarë/artizan dhe artistë vizualë për të kontribuar me talentin e tyre në realizimin e dy eventeve kulturore pranë dy monumenteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit: Kulla Veneciane dhe Hamami i Durrësit.
Netët Kulturore Epidamn të Trashëgimisë dhe Artit përfshijnë organizimin e dy aktiviteteve kulturore në muajt Qershor – Korrik 2025 që kanë për qëllim të theksojnë rëndësinë e vendeve të trashëgimisë nëpërmjet performancave artistike, muzikës, teatrit, zejeve dhe artit pamor – të frymëzuara nga historia e pasur e Durrësit. Nisma synon të nxisë ndërgjegjësimin qytetar për rëndësinë e trashëgimisë kulturore përmes artit dhe të forcojë ndërveprimin mes komunitetit dhe hapësirave historike. Artistët e përzgjedhur do të bashkëpunojnë në realizimin e eventeve në një format bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.
Numri i artistëve që do të përzgjidhen:
2 Muzikantë
3 Aktorë
2 Zejtarë
1 Artist vizual
Afati për aplikim: 20 Prill 2025
Faza e përgatitjes së Eventeve Kulturore
Pas përzgjedhjes së grupit të artistëve, do të nisë puna për përgatitjen e dy netëve kulturore, të cilat do të zhvillohen në monumentet historike të qytetit. Kjo fazë do të përfshijë:
- Konceptimin e një teme unifikuese si: “Rikthim në Durrësin Antik” ose “Ura mes së Shkuarës dhe së Sotmes”, nën titullin kryesor: “Epidamn Heritage and Art Cultural Night”.
- Bashkëpunim me historianë dhe ekspertë të trashëgimisë për të zhvilluar projeksione vizuale dhe elementë edukues mbi historinë e Kullës Veneciane dhe Hamamit
- Mbështetje nga mentori artistik, i cili do të:
- Udhëheqë procesin krijues dhe skenografinë
- Mentorojë artistët pjesëmarrës
- Sigurojë koherencë estetike dhe përmbajtësore
- Zhvillim i kostumeve dhe skenografisë në përputhje me periudhën historike për të krijuar një përvojë sa më autentike
Inkurajojmë aplikime nga artizanë që ruajnë dhe përcjellin zanate tradicionale shqiptare, të tilla si:
- Punimi me dorë i tekstileve
- Qepja me dorë dhe qëndisjet tradicionale
- Punime qeramike dhe poçeri
- Punime në dru apo metal sipas teknikave të trashëguara
Për muzikantët, inkurajojmë përdorimin e instrumenteve muzikore tradicionale, që përfaqësojnë epokën historike të Kullës Veneciane dhe Hamamit, kryesisht periudhën osmane. Instrumente si: fyelli, lahuta, çiftelia, daullet tradicionale apo instrumente frymorë dhe goditës të ngjashëm, do të vlerësohen veçanërisht për aftësinë për të krijuar një atmosferë autentike.
Artistët e përzgjedhur do të përfitojnë një honorar për angazhimin dhe kontributin e tyre gjatë performancës së eventeve.
Linku i aplikimit: https://hy3adnka.forms.app/artist-application-form
Ky event organizohet nga Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab në kuadër të projektit “Epidamn Heritage: Bridging the Past and Present”, pjesë e iniciativës “Recraft the Past, Build up the Future III” nën programin EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
06/04/2025