Peticion për ndërtimin e Konvikteve Studentore
Qendra Durrësi Aktiv në bashkëpunim me Qendresën Qytetare kreu një peticion në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, për planifikimin dhe ndërtimin e një konvikti të për studentët e këtij universiteti, i pajisur me shërbime studentore sipas standardeve bashkëkohore.
Në ditët e sotme, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka pesë fakultete dhe numëron rreth 20 mijë studentë në ciklet e studimit. Themelimi i këtij universiteti ka sjellë zhvillim në qytetin e Durrësit dhe e ka transformuar atë në një qytet universitar. Megjithatë, ende ekziston një mungesë e konvikteve për studentët, duke krijuar sfida të mëdha në aspektin e akomodimit për ta.
Shpenzimet për strehim janë rritur, duke i shtyrë shumë studentë të punojnë për të përballuar shpenzimet e qirasë së shtëpive, duke u vështirësuar financat dhe jetën e tyre studentore. Kjo situatë ka sjellë pasoja negative, duke detyruar një numër të madh studentësh të ndërprejnë studimet në mes të rrugëtimit të tyre akademik.
Në këtë kontekst, ndërtimi i një konvikti për studentët e UAMD-së është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje. Konvikti do të ofrojë strehim të sigurt dhe të rehatshëm për studentët, duke i liruar ato nga barrat financiare dhe duke u mundësuar të përqëndrohen në studimet e tyre me më shumë qetësi dhe fokus. Pajisja e konviktit me shërbime studentore sipas standardeve bashkëkohore do të sigurojë ambiente të përshtatshme për mësim dhe studim, hapësira sociale, kuzhina, biblioteka, dhe shërbime të tjera që ndihmojnë studentët në zhvillimin e tyre personal dhe akademik.
Kjo nismë është një tregues i angazhimit të institucionit për të mbështetur studentët dhe për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për studime të suksesshme. Ndërtimi i konviktit do të ndihmojë në zgjidhjen e problematikave të akomodimit dhe do të japë mundësi të reja për studentët për të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik me sukses.
01/Dhjetor/2022