Qendra Durresi Aktiv

Kërkesa institucioneve mbi derdhjen e ujërave të ndotura në kanalet e hapura në zonën e Ish-Kënetës

Problemi 30 vjeçar i derdhjes së ujërave të ndotura në kanalet e hapura në zonën e Ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto-Romanos janë në fokus të projektit “Qytetarët, aktorë dhe faktorë, në vendimmarrjen lokale”, që po zbatohet nga Qendra “Durrësi Aktiv”, e mbështetur dhe financuar nga Lëviz Albania.

Kërkesat e njëpasnjëshme, drejtuar Bashkisë Durrës nga kjo Qendër nuk kanë marrë një përgjigje konkrete mbi përcaktimin e afateve, në lidhje me hartimin e projektit për rehabilitimin dhe mbylljen e kanalit 1200 metër linearë, që shtrihet në rrugët “Gjelbërimi” dhe “Azem Hajdari”.

Në kuadër të projektit Qendra “Durrësi Aktiv” ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga Bashkia Durrës me anë të shkresave zyrtare, informacion mbi problematikën gati 30 vjeçare që shoqëron banorët e zonave të Shkozetit, Ish-Kënetës dhe Porto-Romanos, si pasojë e mungesës së kanalizimeve të ujërave të ndotura, apo siç njihen rëndom “ujërat e zeza” dhe njëkohësisht edhe hapat që do të ndërmerren nga autoriteti vendor mbi normalizimin e situatës.

Në kthimin e përgjigjes, që mban datën 18 shtator 2020, Bashkia Durrës sqaronte se: “si pasojë e tërmeteve të 21 shtatorit 2019 dhe 26 nëntorit 2019, si edhe pandemisë, punimet për hartimin e projektit të filluara në gusht të 2019 u ndaluan”.

Në të njëjtën kohë Bashkia Durrës përcaktonte se kishte rifilluar procedurën për hartimin e projektit për mbylljen e kanalit që kalon në këto zona. “Aktualisht është bërë azhornimi topografik i rrugës “Gjelbërimi” dhe “Azem Hajdari”, me gjatësi 1200 metër linearë”, shkruan përgjigja.

“Njësia e projektimit dhe Infrastrukturës pranë Bashkisë Durrës është duke hartuar projektin e zbatimit për mbylljen e këtij kanali në këto rrugë”, përfundon sqarimi i Bashkisë Durrës.

Në datën 16 tetor bazuar në kthimin e përgjigjes së datës 25 shtator, ku bëhej me dije se Njësia e Projektimit dhe Infrastrukturës pranë këtij institucioni, ishte duke hartuar projektin e zbatimit për mbylljen kanalit në këto 2 rrugë, Qendra “Durrësi Aktiv”, banorët e rrugëve “Gjelbërimi” dhe “Azem Hajdari”, të përfaqësuar nga Klinika e Ligjit Durrës i drejtuan përsëri një kërkesë bashkisë së qytetit.

Duke sjellë në vëmendje vështirësitë me të cilat përballet ky komunitet, si pasojë e pranisë së ujërave të zeza që janë burim infeksionesh, por edhe ndotës së mjedisit, në shkresën zyrtare kërkohet përcaktimi i afateve në lidhje me hartimin e projektit për rehabilitimin dhe mbylljen e kanalit 1200 metër linearë, që shtrihet në rrugët “Gjelbërimi” dhe “Azem Hajdari”, duke pasur  parasysh faktin që  hartimi i tij do të kryhej  nga punonjësit e bashkisë, pa pasur nevojë për fonde shtesë, duke marrë në konsideratë edhe angazhimin e institucioneve të tjera për të gjetur mënyra për financimin e projektit.

Bashkia e Durrësit është autoriteti kryesor përgjegjës edhe për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve në hapësirën, që ka në juridiksion.

Në ligjin numër 9115, “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotur”, neni numër 12 përcakton shprehimisht se: “Shkarkimet e lëngëta urbane i nënshtrohen një trajtimi të rreptë veç trajtimit parësor e dytësor dhe në raste të veçanta edhe trajtimit purifikues përkatës.”

Mungesa e kanalizimeve të ujërave të përdorura është një problem i trashëguar, me të cilin përballen prej rreth 30 vitesh banorët e zonave të Shkozetit, ish-Kënetës dhe  Porto-Romanos. Shqetësimi i tyre ka gjetur pasqyrim edhe në mediat kombëtare dhe ato lokale, por nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.

Pavarësisht se gjendja është kritike institucionet heshtin përballë situatës së krijuar. Edhe kërkesat zyrtare, drejtuar autoritetit vendor kanë mbetur pa përgjigje, duke tejkaluar edhe afatet ligjore.

Në datën 3 shtator Bashkia Durrës njoftoi se nisi investimin për të parandaluar përmbytjet në disa lagje të qytetit.

Projekti me vlerë 45.558.751 lekë ose 367 mijë euro, do të rehabilitonte kanalin e ujërave të larta në zonën e Spitallës, që më pas shkarkohet në det. Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, gjatë inspektimit të këtyre punimeve e shoqëruar nga drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, deklaroi rreth dy muaj më parë që pas këtij investimi, do të kryhej edhe rehabilitimi i kanalit në rrugën “Gjelbërimi”.

Reshjet e shiut nuk treguan përmirësim të situatës, duke bërë që banorët e këtyre zonave, përveç erës së rëndë të kanalit, të përballen edhe me praninë e ujit në shtëpitë e tyre. Edhe në zonën e Ish-Kënetës fryrja e kanalit të ujërave të përdorura mbushi me fekale oborret e banesave në disa lagje, pas disa orësh shi pa ndërprerje.

Protestat e vazhdueshme të banorëve kanë marrë si përgjigje vetëm premtimet e përsëritura të titullarëve dhe përfaqësuesve të autoritetit vendor, pa u konkretizuar, deri më sot.

31/Tetor/2020